Fjala e Kryeministrit Edi Rama:
Komplimente për këtë organizim. Kur më thanë se do shkosh në një konferencë për të mbajtur një fjalë, unë u habita. Përgjithësisht, nuk shkoj në konferenca për të mbajtur fjalë. Kam pasur gjithmonë bezdi kur shikoja kryeministrat që fusnin hundët në çdo lloj konference dhe merrnin të gjithë vëmendjen për të dalë në televizor. Pastaj më shpjeguan përmbajtjen dhe mbi të gjitha më shpjeguan përbërjen. Përmbajtja dhe përbërja më bindën që të jem këtu, për t’ju respektuar të gjithëve ju dhe pamja që kam përballë më bind plotësisht që bëra gjënë e duhur, sepse nuk të ndodh çdo ditë që ta fillosh ditën, me një pamje me fytyra kaq të bukura.
Sigurisht, këtu jemi në një sektor të jetës sonë dhe një moment të jetës së sektorit që jemi si përpara një plage të hapur. Si përpara një plage të hapur ku është e pamundur të themi se sa na duhet ende për të mbyllur plagën. Por, nga ana tjetër është e sigurt, që nëse 18 muaj më parë, plaga e këtij sektori kullonte gjak, sot hemorragjia është ndalur.
Është ndalur hemorragjia dhe ka filluar operacioni. Një operacion i thellë, një operacion shumë i vështirë, një operacion i sigurtë në sukses. Por, një operacion që lidhet shumë me vendosmërinë tonë dhe me kapacitetin e gjithë këtij organizmi për të përballuar kapacitetin moral, kapacitetin fizik dhe kapacitetin psikologjik.
18 muaj më parë, ne e gjetëm sistemin në prag të kolapsit. Mjafton t’u kujtoj pamjet që përditë hynin në shtëpitë e shqiptarëve, përmes televizioneve, të dyerve të spitaleve të mbushura me njerëz, që ankoheshin për mungesë të ilaçeve dhe që me receta në dorë detyroheshin të shkonin dhe t’i kërkonin ilaçet që duhet t’i ofronte spitali.
E nga ana tjetër, pamë që arsyeja e mungesës se ilaçeve lidhej me një borxh të madh që shteti u kishte furnitorëve, të cilëve me kontratë u kishte kërkuar sasitë e furnizimit, por nuk i kishte paguar dhe furnitorët, në një moment të caktuar, kishin ndaluar se furnizuari spitalin. 40 milionë dollarë. 40 milionë dollarë që ju e keni parasysh për buxhetin tërësor të shëndetësisë nuk janë pak, janë shumë, por dhe për buxhetin tërësor të shtetit shqiptar nuk janë pak, janë shumë. Nuk ishin vetëm këto, 40 milionë dollarë ishin pjesë e një sasie borxhesh që ne nuk e dinim, institucionet financiare nuk e dinin, dhe që ne e gjetëm kur morëm qeverinë. 720 milionë dollarë borxhe, për të njëjtat arsye, kontrata të shkelura plotësisht nga qeveria për punë të bëra dhe të papaguara, për shërbime të marra dhe të papaguara dhe për një sërë kontratash të tjera që shteti shqiptar i ka me palët të papaguara. 720 milionë dollarë janë jashtëzakonisht shumë për buxhetin e shtetin shqiptar. Por, ne vendosëm qysh në krye të herës që të qeverisim, ashtu siç u zotuam, jo me shembullin e forcës, por me forcën e shembullit. Që do të thotë, ne vendosëm që ta kthejmë qeverinë në pozitën, ku e detyroi të jetë Kushtetuta e vendit, në raport me qytetarin dhe në raport me të gjithë palët me të cilat qeveria punon, duke qenë të bindur se qeveria nuk ka asnjë të drejtë të sillet me palët e tjera si mbi ligjin.
Nëse qeveria kërkon nga qytetarët të paguajnë taksa, nuk mundet dot, që qeveria vetë, të mos paguajë detyrimet. Nëse qeveria kërkon që qytetarët të paguajnë drita, nuk mundet dot që borxhin më të madh ndaj kompanisë ta ketë vetë qeveria.
Një nga strukturat shtetërore që kishin borxhin më të madh ndaj kompanisë së shpërndarjes së energjisë elektrike ishte Ministria e Energjisë dhe po ashtu qeveria nuk ka asnjë atribut kushtetues dhe ligjor që i jep epërsinë që t’i thotë sipërmarrjes “Unë të paguaj kur dua dhe nuk të paguaj kur s’dua”. T’u thotë furnitorëve të spitaleve “Ilaçet do t’i sillni, por lekët do t’ua jap kur t’i kemi”. Ne, faktikisht, e shlyem borxhin ndaj furnitorëve dhe sot jemi në kushte të reja. Jemi në kushtet kur kemi realizuar një zotim të rëndësishëm, të mos e lejojmë që shqiptarët t’i blejnë ilaçet më shtrenjtë se në vendin e origjinës dhe me heqjen e taksës mbi ilaçet kemi arritur që t’i ulim çmimet në një mesatare në 30%. Ulja e çmimit në një mesatare 30%, ka bërë që ne t’i kursejmë buxhetit të shtetit 70 milionë dollarë që deri 1 vit më parë shkonin për ilaçet dhe rimburismin e tyre në sistemin shëndetësor. 70 milionë dollarë, të cilat fuqizojnë jo shumë, por fuqizojnë sidoqoftë ndjeshëm qeverinë për të bërë më shumë për sistemin shëndetësor.
Nga ana tjetër, arritëm që 85 barna të reja të futen në listën e rimbursimit, ndër cilat 45 janë principe të reja aktive.
Janë 150 mijë qytetarë shqiptarë që kanë përfituar dhe do të përfitojnë nga mjekimi me barna të reja, të shtuara në listën e rimbursimit. Zgjeruam ndjeshëm listën spitalore, duke garantuar furnizim të ndjeshëm të spitaleve me barna dhe materiale mjekësore dhe duke i dhënë fund një sëmundjeje që u kthye në kronike, me të cilën u pajtuan të gjithë, u pajtuan mjekët, u pajtuan pacientët, u pajtuan familjarët, por më e keqja u pajtua vetë shteti. Ajo sëmundje u konsiderua pjesë e jetës së sistemit shëndetësor.
Nga ana tjetër, kthyem vëmendjen tek parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm si mënyra më e mirë për të zgjatur vitet e jetës së shëndetshme dhe si mënyra më e mirë për të kursyer. Në rrugën e një zotimi shumë të fortë dhe padyshim shumë ambicioz për të shkuar drejt mbulimit shëndetësor universal, ne bëmë të mundur qysh në vitin e parë, që çdo shqiptar rezident i grupmoshës 40 deri në 65 vjeç të përfitojë kontrollin shëndetësor falas pranë qendrës shëndetësore të vendbanimit të tij, për të parandaluar sëmundje të zemrës, tumorale, diabetit, mushkërive, veshkave apo edhe sëmundjeve të tjera jo të transmetueshme, të cilat mbartin edhe barrën më të lartë të sëmundshmërisë në vendin tonë dhe janë shkaktarët më të mëdhenj të vdekshmërisë në vend.
Hapëm një betejë me duhanin. Arritëm që më në fund të zbatojmë një ligj që ishte miratuar kohë më parë, por që nuk e zbatonte askush.
Sot jemi dëshmitarë që është pothuajse e pamundur që të hysh në një mjedis publik në Tiranë apo në qytetet e mëdha, nuk pretendojmë se e kemi shtrirë në gjithë territorin e Shqipërisë, dhe të gjesh dikë që pi duhan. Paguam edhe një kosto, që e kishim marrë parasysh, një kosto në buxhetin e shtetit nga rënia e konsumit të duhanit dhe për ne, ky është një lajm shumë i mire, se edhe pse shteti merr më pak të ardhura nga akciza mbi duhanin, më pak blozë hyn në mushkëritë e qytetarëve tanë.
Kemi filluar të ofrojmë ekzaminim pa pagesë të gjirit përmes mamografisë së lëvizshme. Çdo ditë depistohen mesatarisht 30 gra e vajza, duke krijuar kështu kushtet që të kemi më shumë mundësi për diagnostikime në kohë të shpejtë, të hershme, të një kanceri që, siç e dini mirë ju të gjithë, është shumë lehtësisht i kurueshëm, nëse kapet në momente të para.
Nga ana tjetër, kemi bërë ndërhyrje të rëndësishme, por ajo çka është edhe më e rëndësishme, ndërhyrje të studiuara për të ripërtëritë infrastrukturën, e cila është ende në gjendje të rëndë dhe të cilën në vite të shkuara, qeveritë paraardhëse e trajtuan si një nga burimet e përfitimit të paligjshëm. Mjafton të shkosh në QSUT, për të parë në kate të ndryshme sesi një korridor e fillon me pllaka të një lloji, e vazhdon me pllaka të një lloji tjetër dhe e përfundon me plaka të një lloji tjetër, sikur jemi në shtresa arkeologjike. Në fakt, ajo është arkeologjia e korrupsionit, sepse të gjitha ato tre llojet e pllakave janë tre tendera të ndryshëm, për të njëjtën arsye.
Kështu kemi çelur qendra të reja, apo rikonstruktuar tërësisht disa shërbime jetike si Kirurgjia e Djegie-Plastikës, Neurologjia në QSUT, në Spitalin e ri Psikiatrik dhe shërbimin e Pediatrisë në Vlorë. Pa hyrë t’ju numëroj poliklinikat që nga Tirana deri në Anën e Malit në Shkodër. Po punohet për bunkerin e akseleratorit linear në QSUT, po punohet për maternitetin e ri të Gjirokastrës, në qendrën e re shëndetësore në Divjakë, po punohet edhe në disa poliklinika në Tiranë, në qendrën e konsultave në QSUT, e me radhë.
Spitalet sot kanë ndryshime të dukshme, por ende janë larg së qenit shëmbëlltyra e vetë ndryshimit që ne duam.
Nga ana tjetër, gjetëm një situatë ku pothuajse të tëra aparatet e teknologjisë së lartë, të marra shtrenjtë, ishin jashtë funksionit dhe sot s’ka asnjë aparat të teknologjisë së lartë që është jashtë funksionit dhe më tej është vendosur skaneri dhe rezonanca magnetike në Spitalin Universitar të Traumës, akseleratori linear te Neurokirurgjia, 60 EKG, spirometra e me radhë, që të mos ju lodh me gjithë radhën e ndërhyrjeve në këtë aspekt. Por, përsëri jemi shumë të vetëdijshëm se ka ende shumë për të bërë, që gjithë sistemi i teknologjisë brenda infrastrukturës sonë të shërbimit publik shëndetësor të jetë në lartësinë e duhur, të mirëmbahet si duhet dhe të funksionojë si një sistem i integruar.
Vetëm disa ditë më parë, ne miratuam edhe një financim të konsiderueshëm për të vazhduar ta fuqizojmë dhe modernizojmë sistemin tonë shëndetësor, me fokus tek kujdesi spitalor. Faktikisht, janë 32 milionë euro, të cilat do të fillojnë të bëhen efektive në gjashtëmujorin e dytë të këtij viti. Kantieri i shëndetësisë mund të konsiderohet tërësisht i hapur dhe mbi të gjitha, e përsëris, mund të konsiderohet i hapur në mënyrën e duhur, për të marrë rezultatet e duhura, pasi të gjitha ndërhyrjet janë të studiuara dhe synimi i ndërhyrjeve është që në fund të kemi krijuar një cikël të mbyllur. Kemi parë në të shkuarën shumë investime që janë bërë kuturu, janë bërë pa lidhje me njëra-tjetrën dhe janë bërë, praktikisht, si ato sistemet informatike me kompjuter të programuar në mënyra të ndryshme, që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Ne jemi të bindur që synimi ynë madhor që është e mbetet mbulimi universal nuk arrihet pa u shoqëruar, madje pa u paraprirë me aksesin universal.
Bashkë me financimet, e miratuara tanimë, për ta çuar më tutje transformimin e Qendrës Spitalore Universitare, transformimin e Spitalit Universitar të Traumës, ne jemi shumë të angazhuar edhe për të rritur vetëdijen. Për të rritur vetëdijen, lidhur me nevojën që njerëzit të mos kujtohen për sistemin shëndetësor vetëm në momentin kur ka plasur hemorragjia.
Një tjetër moment, ku besoj kemi vendosur piketat e duhura, është Urgjenca. Historitë e urgjencës në Shqipëri janë të njohura. Dramat e shkaktuara nga mungesa e urgjencës janë të njohura dhe ne kemi filluar të kthehemi në drejtimin e duhur, edhe pse askush nuk mund ta pretendojë prej nesh që në 18 muaj, Urgjenca të kishte ndryshuar rrënjësisht, nga rrënoja që kishim, tek Urgjenca që të gjithë meritojnë si në çdo vend të Europës. Ashtu sikundër, ne vetë nuk pretendojmë që ajo çka kemi bërë është e mjaftueshme për të marrë duartrokitjet e qytetarëve.
Sot, ka 10 paketa shëndetësore falas edhe në spitalet jopublike, me financim nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Ka vetëm në 4 muajt e fundit, 900 përfitues. Pacientë, që kryejnë dializën në 4 spitale publike dhe 3 spitale private përmes paketave falas; 350 pacientë që kanë përfituar pa pagesë ndërhyrje të kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë në spitalet publike dhe spitale private; 12 pacientë që kanë kryer transplantim të veshkave në spitale privatë me financimin publik, pra falas. Në 4 muaj ne shkurtuam me 50% listën e pritjes së pacientëve që kanë nevojë për transplantim dhe kanë dhurues familjarë të përshtatshëm, pacientë që ishin prej vitesh në listë pritje.
Por një nga pikat ku unë besoj se kemi arsye të ndihemi krenarë dhe kemi plotësisht të drejtë të ndjehemi shumë të inkurajuar në këtë përpjekje, është ajo çka ne po bëjmë me shëndetësinë elektronike. Kemi filluar të zbatojmë programin e-health dhe po ngremë dhe po përditësojmë edhe regjistrin kombëtar të programit bazë mjekësor 40-65 vjeç, duke realizuar në Durrës, një projekt pilot të Recetës Elektronike.
Por, më shumë se kaq, sot, kemi ulur që nga 70% deri në 50%, sipas rastit, - 70% në Kukës dhe deri në 50% në spitalet e tjera rajonale, ardhjen e pacientëve nga të gjitha anët e Shqipërisë në QSUT, qoftë edhe për një konsultë, sepse kemi ngritur në të gjitha spitalet rajonale sistemin e telemjekësisë. Përmes këtij sistemi, në radhë të parë kemi bërë të mundur që 70% të pacientëve apo të njerëzve që kanë nevojë për konsultë, t’u jepet një shërbim i cilësisë më të lartë që ofron Shqipëria, përmes konsultimit të drejtpërdrejt me QSUT-në falë telemjekësisë. Kjo do të thotë se kemi shkurtuar në mënyrë të konsiderueshme shpenzimet e të gjithë atyre që ishin pacientë, apo familjarë që i shoqëronin nga Saranda, Kukësi, Gjirokastra, për t’u ndeshur në derën e QSUT-së në atë pazarin e madh të gjësë së gjallë dhe të veshmbathjeve të gjësë së gjallë.
Karta e shëndetit e ka shkurtuar ndjeshëm burokracinë në marrjen e shërbimeve dhe nëse një pensionisti i duhej të shkonte dy apo tre herë në vit për të rinovuar librezën e shëndetit, sot, karta e shëndetit për të gjithë pensionistë, për veteranët, për të përndjekurit dhe një sërë kategorish të tjera nuk ka nevojë për rinovim. Përfitues të drejtpërdrejtë janë edhe profesionistët e shëndetit. Çdo mjek familjeje dhe çdo farmacist kursen sot 8 orë pune në muaj, kohë e cila është vënë në funksion të një shërbimi më të mirë për pacientët. Gjithashtu, duke filluar nga muaji prill, pacientët kronikë të stabilizuar do të marrin receta dymujore me rimbursim, jo më një herë në muaj, ndryshe nga vitet e kaluara, kur këta pacientë duhej të drejtoheshin çdo muaj tek mjeku i familjes. Me ndryshimin e afatit, sot nuk është më e nevojshme që të enden në radhët e qendrave shëndetësore, për çdo muaj, për të marrë të njëjtat barna. Por gjithçka mbetet ende shumë e vështirë, sepse burimet njerëzore janë ende shumë larg së qeni ato që duhet.
Telemjekësia krijon kushtet që kapitali njerëzor që është në shërbimin shëndetësor të rritet përmes gjithë atij programi të edukimit në distancë. Megjithatë ju e dini më mirë se unë se deri ku mund t’i besosh edukimit në distancë të një shqiptari, që edhe kur e ke brenda në klasë, e ke aq në distancë, sa del nga klasa dhe nuk ka marrë vesh asgjë.
Unë kam besuar dhe besoj që varfëria është rezultati drejtpërdrejt i varfërisë së aspiratave. Nuk ka varfëri ekonomike, nuk ka varfëri financiare, nuk ka varfëri sociale, aty ku nuk ka varfëri aspiratash. Duke përsëritur këtë, u ndesha me një kundërshti sikur me demek unë mendoj që shqiptarët janë të varfër në aspirata. E kundërta është e vërtetë. Shqiptarët kanë fuqinë të aspirojnë deri ku, ndonjëherë, imagjinata e njeriut që është vëzhgues nuk shkon. Por shqiptarët kanë pasur fatkeqësinë kombëtare që janë udhëhequr dhe janë drejtuar nga grupe tërësisht të varfra në aspirata për ata vetë. Ja një shembull. Prindërit tuaj dhe prindërit e gjithë vajzave dhe djemve në këtë vend besoj do të hynin pa asnjë dyshim ndër prindërit me aspiratat më të larta për fëmijët e tyre në Europë. Mjafton të shikosh raportin mes të ardhurave dhe shpenzimeve që prindërit bëjnë për shkollimin e fëmijëve, për të kuptuar sa të larta janë aspiratat e prindërve dhe për të parë se sa në disproporcion është ky raport krahasuar me shumë vende të tjera, ku të ardhurat dhe investimi për fëmijët është shumë më në raport të drejtë. Ndërkohë që këtu, raporti është shumë më i zhdrejtë. Edhe familje të varfra ia dalin që të financojnë arsimimin e fëmijëve të tyre, me sakrifica të jashtëzakonshme, sepse aspiratat i shtyjnë drejt këtyre sakrificave.
Po kush ishte sistemi arsimor që ishte vënë në dispozicion të këtyre aspiratave? Sistemi më i varfër në aspirata. Më kujtohet një pedagoge, nuk po ia përmend emrin se të gjithë pedagogët këtu e njohin. Një pronar i një universiteti, nga ato fantazmat që ne i hoqëm nga rruga e të rinjve, e kërkon për të hapur degën e stomatologjisë dhe i ofron një rrogë shumë të mirë dhe ajo pranon. Pas tremuajsh e thërret në zyrë pronari dhe i thotë ‘nuk jemi kuptuar. Nuk jemi kuptuar, sepse po m’i streson shumë studentët’. Ajo i thotë unë drejtoj degën dhe kam detyrën që t’i stresoj të gjithë ata që nuk janë të gatshëm të marrin dhe të japin atë që duhet, brenda rregullave që ka mësimdhënia dhe mësimnxënia. Këtë, i thotë ai, mund ta kesh si parim në universitetin e shtetit, por jo në universitetin privat, se në shtet ke studentë, tek privati ka klientë. Detyra e parë që kemi ne, në universitetin tonë, është që klienti të jetë i kënaqur. Në qoftë se klienti do të mësojë, mëson, në qoftë se klienti nuk do të mësojë, nuk mëson, rëndësi ka që klienti paguan.
E përderisa ka paguar ai ka të drejtë të thotë nuk dua të dëgjoj. E ajo thotë, “po mirë unë po përgatis dentistë, nuk po përgatis këpucarë, - që edhe këpucarit, normalisht nuk i bie që të marri lekët dhe t’i japi këpucët pa shollë. Shiko - i tha- kjo është ekonomi tregu, në qoftë se këta do marrin diplomën dhe do hapin një kabinet, do të thyejnë ca nofulla, do t’i hapet nami që këta thyejnë nofullat, nuk do t’u shkojë më njeri dhe këta falimentojnë.
Mirë një injorant atje që kishte këtë kuptim, po shteti, po qeveria që jo vetëm e kishte lejuar këtë sistem, por edhe krenohej me këtë sistem, - ku ishte?
Çfarë e bën një qeveri, që përballë aspiratës së lartë të prindërve për të sakrifikuar, për të kursyer, për ta hequr nga buka e gojës së tyre shpeshherë, që fëmija të shkojë në universitet, të vendosë një sistem që është shëmbëlltyra e varfërisë së aspiratës për popullin tënd dhe për vendin tënd?! Po të shikojmë të gjithë sektorët do të shohim se varfëria dhe rrënimi që është mbjellë, është pasojë e drejtpërdrejtë e varfërisë së aspiratave që kanë krijuar grupet dhe udhëheqjet që e çuan Shqipërinë, deri në pikën ku u quajt normale, pjesë e jetës, që spitalet të mos kishin ilaçe dhe që të shkoje në spital me çarçaf me vete.
Kam pasur fatin të shoh të gjithë Shqipërinë. Kam pasur fatin të takoj, për shkak të punës, më shumë njerëz, sesa të gjithë ju së bashku do të takoni në të gjithë jetën tuaj. Nuk e harroj kurrë një nga episodet e jashtëzakonshme të njohjes së Shqipërisë thellë, në një zonë që nuk është larg Tiranës, por që për të shkuar deri atje duhen më shumë orë se sa për të shkuar deri në Moskë apo deri në Londër, - në një zonë shumë të varfër, kam takuar një grup prindërish. Atyre u mungonte çdo gjë. Absolutisht çdo gjë. E dini çfarë më kërkuan? Ishte fushatë elektorale më thanë: “Mos na premto kot. Ne na duhet ura, por e dimë shumë mirë, se sa të vijë radha tek ura jonë, me kaq shumë halle që ka Shqipëria, ne do kemi vdekur. Ne e dimë shumë mirë, që ne na duhet mbështetje për gjithë infrastrukturën që ne të mund të mbjellim domate siç kemi mbjellë njëherë një kohë, por sa të vijë radha tek ne, janë kanalet në Myzeqe, janë kanalet në Malësi të Madhe. Ne jemi këtu të gjithë bashkë 300 veta. Fëmijët tanë e kalojnë lumin për të shkuar në shkollë kur është kohë e thatë dhe rrinë në shtëpi kur lumi është i fryer, sepse nuk mund të shkojnë dot në shkollë. Nuk duam asgjë nga këto, duam vetëm mësues anglishteje”. Unë u çudita dhe më bëri shumë përshtypje, se kur njëri nga ata tha duam vetëm një mësues anglishteje, të gjithë duartrokitën. Edhe më thanë, - “Vetëm mësuesin e anglishtes po të na sjellësh, me ne e ke mbyllur”.
U ktheva dhe ja tregoj një kolegut tim dhe më thotë edhe mua ma kanë thënë këtë gjë, në një zonë shumë të thellë, në qarkun e tij. E pastaj pyeta disa deputetë dhe ishin disa prej tyre që e kishin dëgjuar këtë historinë anglishtes.
Kjo është fuqi për të aspiruar. Është aspirata që fëmijëve aty t’u japim një jetë më të mirë dhe përmes një ure t’u japin krahë që të fluturojnë dhe të ikin nga ajo skutë për të ardhur në qytet. E si mund të ikin në qytet, me se mund të jene të vlefshëm. Imagjinata e tyre përcaktojnë anglishten, si forcën që do t’i bënte fëmijët e tyre të vlefshëm. Kjo është imagjinata e njerëzve më të varfër të Shqipërisë, në disa zona të varfra, por është dhe imagjinata e gjithë qytetërimit tonë.
U krenua profesori që tha sot do të bëjmë progresin në anglisht dhe është një risi. Atëherë, si është e mundur që për kaq shumë vite, jo mësuesit e anglishtes që u tretën, por fëmijëve në shumë territore të vendit iu ofrua për t’i mësuar matematikën, një profesor fizkulture; për t’ju dhënë muzikë, mësuesja e biologjisë; për ta bërë gjuhën shqipe, mësuesi i muzikës.
E në fund fare, për të bërë që në Shqipëri të ketë, siç kishte deri vitin e shkuar, mijëra mësues pa arsimin përkatës dhe mijëra të tjerë që e kishin arsimin përkatës, por nuk jepnin lëndën për të cilën kishin marrë diplomën por jepnin një lëndë tjetër.
Kjo është varfëria e aspiratave. Varfëria e aspiratave për popullin tënd, për njerëzit e tu dhe cinizmi që pastaj varfëria e aspiratave e ktheu në sistem të raporteve të politikës me njeriun, duke nënkuptuar që sa më i rëndë të jenë këta, aq më shumë unë do të rri këtu ku jam. Se sa më shumë njerëz të ditur, aq më shumë dhimbje koke për ata që janë në pushtet.
Dua vetëm t’ju them këtë që unë jam shumë krenar që pas tre vjetësh pushim dhe nuk e di sa shumë vjet përpara tre vjetëve, korrupsion që buronte nga varfëria e thellë e aspiratave, ne rikthyem specializimet në shëndetësi ku 385 mjekë dhe mjeke të reja, të specialiteteve, i shtohen trupës mjekësorë në vend, përmes një konkursi që pati ankesa, por që nuk dëgjova asnjë nga ankuesit që i kam thirrur në zyrë, - që kishte korrupsion. Përkundrazi, gjëja e parë që thonin të gjithë ata që ankoheshin ishte “Nga ana e ndershmërisë së konkursit nuk kemi asgjë për të thënë dhe askush nuk e ka besuar që konkursi do ishte pa lekë. Por kishin problem me formulën, histori e gjatë ajo -që u zgjidh, duke iu thënë atyre do të konkurroni herën tjetër dhe tani me këto që mësuat, do të fitoni sepse jeni fitues, ndërkohë edhe ne do të shikojmë se çfarë mund të korrigjojmë në formulën e pikëzimeve, ama zero korrupsion.
E nga ana tjetër, ato ditë më kanë dhënë mundësinë që të inkurajohem dhe të entuziazmohem nga pasioni dhe nga vendosmëria e atyre vajzave dhe djemve që nuk mu duken gjëkundi si njerëz që thjesht donin të merrnin dhe një certifikatë tjetër, por mu dukën vërtetë si një gjeneratë e re mjekesh dhe mjekesh që ishin shumë të pasur në aspirata.
Kjo është arsyeja pse unë erdha këtu dhe pse me shumë respekt ju jam mirënjohës për shembullin që jepni duke dëshmuar që jeni të gjithë të pasur në aspiratat tuaja.
Aty ku ka pasuri aspiratash varfëria nuk është asnjëherë kërcënim. Aty ku ka pasuri aspiratash suksesi është gjithmonë diku gjatë rrugës, por sigurisht për disa vjen më herët, për disa vjen më vonë, për disa mbase edhe nuk vjen sepse suksesi varet nga fuqia që ka pasuria e aspiratave për të të bërë të rezistosh edhe aty ku askush nuk thotë më vazhdo, por të gjithë thonë “lërë tani, se kjo punë mbaroi”.
Më tha profesori që kishit dëshirë të bënin një fotografi me mua. Unë jam shumë i keqardhur që duhet të largohem dhe s’dua t’ju prish kongresin për të dalë në fotografi, por ndryshova axhendën dhe në orën 13.00, ju pres tek parku i Kryeministrisë, jo vetëm për të bërë fotografi, por edhe për t’ju takuar personalisht dhe për t’ju shprehur gjithë mirënjohjen time.