English

Rezidenca qeveritare në Sarandë do të kthehet në hapësirë komunitare

Rezidenca qeveritare në Sarandë dhe parku i saj do të kthehen në hapësira komunitare. Ato do të shndërrohen në EkoKampus arsimor, sipas konceptit inovativ të shkollave të gjelbra. Sot në Sarandë, në prani të Kryeministrit Edi Rama u prezantua projekti për ndërtimin e këtij kampusi, e projektuar si një qendër moderne edukimi dhe rekreacioni.

EkoKampus Saranda përfshin të gjithë ciklin e arsimit parauniversitar, duke filluar me kopshtin, shkollë 9-vjeçare dhe shkollën e mesme. Terrene sportive, fusha të lojërave me dorë, amfiteatër, parkim i nëndheshëm, palestra, pishinë, hapësira komunitare janë elemente të projektit. Një sipërfaqe të konsiderueshme në projektim e zë parku. Risi e projektit është përdorimi i paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë së gjelbër.

Një model cilësor jo vetëm për arsimin, por edhe për të kuruar një trashëgimi shumë të rënduar urbane, e cilësoi Kryeministri Rama projektin, duke premtuar se qeveria do ta vendosë ndërtimin e këtij kampusi në prioritet e saj në kuadrin e projektit “Shkollat e gjelbra”.

“Është e domosdoshme të çelim një fazë të re në pikëpamje të shërbimit për fëmijët këtu në Sarandë dhe faktikisht, gjëja më e mirë na u duk që vilën qeveritare dhe të gjithë parkun përreth saj, ta transformojmë në një hapësirë për të ndërtuar një model krejtësisht të ri të shërbimit, me kopsht, shkollë dhe hapësira komunitare. Jam i bindur që ky do të jetë një projekt që do të ketë një impakt shumë të fortë dhe unë jam besimtar i asaj shkolle të mendimit, që mëson se ndërhyrjet në hapësira të degraduara urbane, me modele të kësaj natyre kanë një impakt rigjenerues përtej kufijve të vetë hapësirës ku ndërhyhet, kanë të njëjtin impakt në organizmin e territorit, siç ka akupuntura në organizmin njerëzor, sepse krijojnë kushtet për një energjizim të territorit. Në kushtet që ne jemi, edhe në Sarandë, por besoj në të gjithë Shqipërinë, të një trashëgimie shumë të rënduar në territor, kjo është mënyra e vetme për të çuar përpara një operacion shërues, duke ndërhyrë me modele tërësisht cilësore, që kanë shumë impakt në gjithë zonën ku ndërhyhet. Jam i bindur që pasi të bëjmë këtë kampus, vetiu gjithë territori përreth do ta ndiejë impaktin dhe vetë njerëzit, në pjesën e tyre private do fillojnë të ndiejnë nevojën që të përmirësojnë situatën mjedisore, situatën urbane dhe të cilësisë së hapësirës private. Kështu, modeli do të japë një impakt shumë më të gjerë, sesa thjesht ajo që ndodh brenda këtij rrethi të shkollës. Sigurisht është një sfidë edhe përsa i përket financimit, por besoj që ne duhet ta vendosim këtë kampus si një prioritet absolut, sepse jo vetëm që do të na japi mundësinë t’ju shërbejmë ashtu siç duhet një numri shumë të madh fëmijësh dhe familjesh, por jam i bindur do të krijojmë atë impakt për të cilin fola.”

“Shkollat e gjelbra” është një projekt tepër ambicioz i qeverisë në fushën e arsimit, financimi i të cilit mund të shkojë deri në 130 milionë dollarë. Investimi më mirë për një shoqëri, sipas Kryeministrit, është investimi në arsim. Edhe ndërtimi i këtij kampusi do shihet si pjesë e paketës financiare dhe bashkë me ndërhyrje të tjera rigjeneruese, theksoi Kryeministri, do të ndërtojmë modele urbanizimi për gjithë Bregun e Jonit.



“Ne jemi duke përgatitur një fazë tjetër ndërhyrjesh rigjeneruese në Bregun e Jonit, përfshirë edhe Sarandën. Ne duam që të zgjidhim me shpejtësi, problemin e kanalizimeve në të gjithë Bregun, problemin e ujit të pijshëm dhe padyshim të ecim me shpejtësi për të ndërtuar modele urbanizimi të një cilësie krejt tjetër. Jam i bindur që janë krijuar kushtet, ashtu sikundër jam i bindur që edhe paketën financiare që është e nevojshme për këtë plan shumë ambicioz, ne do ta sigurojmë, duke pasur parasysh si pjesë themelore arsimin. Kemi hartuar një projekt paraprak për 1000 klasa të gjelbra. 1000 klasa të gjelbra, të cilat do të jenë kryesisht në zonën më të dendur që është zona Tiranë-Durrës, por pa asnjë shqetësim, pa asnjë pengesë, edhe këtë projekt ne mund ta përfshijmë në projektin e 1000 klasave të gjelbra, të cilin kemi filluar ta diskutojmë me donatorë të ndryshëm për ta financuar. Bëhet fjalë për një paketë financimi që mund të shkojë edhe 120-130 milionë dollarë, por për ne është absolute si prioritet që të investojmë në këto hapësira, sepse më mirë pesë rrugë më pak dhe 1000 klasa të gjelbra, sesa pesë rrugë më shumë dhe fëmijët dhe nxënësit të lënë rrugëve, në mjedise ku sundon errësira dhe ku ka shumë më tepër hapësirë për injorancën dhe për brutalitetin, sesa për dijen dhe për kulturën.”

KOMENTE