Tiranë, 30 korrik NOA - Kryeministri, Sali Berisha priti sot një Delegacion Parlamentarë të Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut, të kryesuar nga Han-Sak Song.
Kryeministri Berisha vlerësoi marrëdhëniet politike mes dy vendeve dhe u shprehu parlamentarëve koreano-jugor dëshirën dhe angazhimin e qeverisë shqiptare për të zhvilluar dhe intensifikuar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin mes dy vendeve, në veçanti në fushën ekonomike, tregtare dhe investimeve reciproke.
Në emër të delegacionit, Song e falënderoi Kryeministri Berisha për mikpritjen e ngrohtë dhe miqësore, duke vlerësuar gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe dëshirën e Koresë së Jugut për të intensifikuar më tej bashkëpunimin, veçanërisht në fushën ekonomike dhe tregtare mes dy vendeve. Â
Më tej, Kryeministri Berisha i njohu parlamentarët koreano-jugor me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin ekonomik dhe krijimin e një klime të favorshme për biznesin dhe investimet në vend.
"Shqipëria është vendi me taksat më të ulëta në Evropë", u shpreh Kryeministri Berisha.
Janë disa kompani prestigjioze koreano - jugore si Samsung, Korea Elektrik, etj, që kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri dhe Kryeministri Berisha i siguroi parlamentarët se të gjitha investimet koreano - jugore do të kenë mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare. Në këtë kontekst, Kryeministri Berisha falënderoi qeverinë koreane për mbështetjen që ka dhënë, në veçanti në projektin e ristrukturimit të rrjetit elektrik në vend, në bursat studentore për kualifikimin e studentëve shqiptarë, etj.
Parlamentarët koreano - jugor vlerësuan me shumë interes fushat si ajo e prodhimit të energjisë elektrike, turizmi, industria minerale dhe garantuan Kryeministrin Berisha se qeveria e Koresë së Jugut do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë edhe në fazën e dytë të projektit të ristrukturimit të rrjetit elektrik, si dhe do të nxisë investitorët koreanë të konsiderojnë Shqipërinë si destinacionin e tyre për biznes dhe investime.
k.k/NOA