Tiranë, 13 nëntor, NOA - Ministri i Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës, Dritan Prifti i gënjeu qytetarët kur tha se qeveria kompensimin e energjisë elektrike ka lënë mënjanë 2 miliardë lekë, pasi në projekt-buxhetin e vitit 2010 ka vetëm 1 miliard lekë.
Një fakt të tillë e ka deklaruar për mediat deputeti socialist, Ilir Beqja, sipas të cilit, rritja e çmimit të energjisë elektrike do shkaktojë pasoja të forta ekonomiko-sociale tek qytetarët.
"Ministri Prifti deklaroi se janë ulur humbjet, por kushdo mund të shohë çfarë thotë Instituti i Statistikave për humbjet në rrjetin e energjisë në 6 muajt e parë të vitit 2009. Aty dëshmohet se humbjet janë 8 % më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2008.
Po ashtu, kushdo mund të shohë se çfarë raporton Banka e Shqipërisë për humbjet në rrjetin e energjisë në 8 muajt e parë të vitit 2009. Aty dëshmohet se humbjet janë 13.7 % më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2009", tha ndër të tjera Beqja.
Më pasi ai iu kundërvu ministrit të Energjetikës edhe për çështjen e matësve elektrikë. "Ministri Prifti deklaroi se matësat do të instalohen në fund të vitit 2010, por Prifti harroi të tregojë se shefi i tij, Sali Berisha, pati premtuar se matësat do të instaloheshin deri në fund të vitit 2006. Ndërkohë, ai neglizhon vendimin e ERE-s që faturimi aforfe do të mbarojë në vitin 2009", tha Beqja.
n.e/NOA