English

Promovohet libri "Maqedonia shqiptare", kundër Enciklopedisë

Shkup, 30 dhjetor, NOA - Libri i shumëpritur "Maqedonia shqiptare" përfundimisht doli në dritë, i cili nxjerrë në sipërfaqe faktet historike dhe të vërtetën mbi historinë shqiptare në Maqedoni, si një kundërpërgjigje ndaj "Enciklopedisë Maqedonase" të botuar nga ASHAM. Publicisti Nijazi Muhamedi që është autori i këtij vëllimi ka theksuar se qëllimi i angazhimit të tij për të përgatitur këtë vepër nuk është për të kontestuar dikë, por për të shfaqur bashkëveprimin e popujve që jetojnë në këtë shtet.

"Duke injoruar paktin e intrigës së vazhduar, që trumbetohet si zgjidhje ‘civilizuese' dhe ‘konsensuale' ndërmjet rrufjanëve të të poshtëruarve dhe mesësve të poshtëruesve , mori mbështetje nisja për të dalë me një kundërpërgjigje mendjepeshuese më efektive dhe më përmbajtjesore ndaj një stive të molepsur të 300 zërave që poshtërojnë shqiptarët dhe historinë e tyre në këtë enciklopedi", ka theksuar Muhamedi.

Ai ka nënvizuar se botimi i këtyre veprave nuk është projekt politik, por as që është inspiruar apo mbështetur nga ndonjë parti politike apo organizata. "Bëhet fjalë për një projekt timin personal me karakter të qartë shkencor. Tekstet e përfshira janë të shkruara nga personalitete të shkencës nga kohërat e kaluara dhe të tashme. Ato më japin legjitimitetin për të folur rreth autoktonitetit të shqiptarëve në Maqedoni", ka theksuar publicisti dhe autori Nijazi Muhamedi, i cili ka paralajmëruar vëllimin e dytë dhe të tretë të "Enciklopedisë së Maqedonisë Shqiptare", të cilat do të publikohen gjatë vitit 2010 dhe kanë mbështetjen e shkencëtarëve dhe historianëve nga të gjitha profilet në Shqipëri dhe Maqedoni. Ai sërish ka komentuar në prizmin e tij nxjerrjen e "Enciklopedisë Maqedonase". "Ne prandaj nuk e quajtëm të denjë të bëjmë polemikë për ndreqje të shtrembërimeve në zërat e enciklopedisë, sepse historia e popullit të autorëve të Enciklopedie maqedonase është faktuar si e paqenë në ato rrjedha dhe procese historike në këtë vend. Do të ishte e gabuar fare të hyhej në një polemikë me të paqenët në ato kohëra . Duke njohur faktin se, gjithë ky mal shtrembërimesh, falsifikimesh dhe poshtërimesh ndaj historisë sonë është ngritur jo nga realiteti historik, por nga heshtja e dhunshme e historiografisë sonë më se gjysmëshekulli dhe në një fare dore edhe nga heshtja e turpshme e një pjese të saj sot, ne menduam që këto vëllime t'i japin përgjigje gjithë kësaj kohe të heshtur në raport me "agresionin" që shkrimet historike të kësaj lagjeje akademikësh maqedonas ia kanë bërë historisë dhe historiografisë sonë", ka theksuar autori Nijazi Muhamedi. Ai ka theksuar se në asnjë rast nuk mund të shkruhet historia nën optikën e njëjtë të popujve në Maqedoni. "Historia shkruhet nga optika e secilit popull, andaj është vështirë që edhe redaksia e re e paralajmëruar e ASHAM të konfirmojë të vërtetën historike dhe faktografike rreth shqiptarëve dhe maqedonasve, si dy popuj me histori të ndryshme", ka theksuar Muhamedi.

Qasjet e tyre lidhur me botimin e këtij libri i kanë dhënë edhe historiani dhe gazetari Arben Llalla si dhe gazetari Bardhyl Zaimi, në cilësinë e bashkëpunëtorëve të autorit të veprës "Maqedonia shqiptare". Botimi i këtij libri ka nxitur debate dhe komente të ndryshme në qarqet shkencore por edhe mediale në Maqedoni.

NOA-INA

KOMENTE