Warning: file_get_contents(): SSL operation failed with code 1. OpenSSL Error messages: error:1416F086:SSL routines:tls_process_server_certificate:certificate verify failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(): Failed to enable crypto in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153

Warning: file_get_contents(https://www.njoftime.net/service/xml-last-ads/): failed to open stream: operation failed in /var/www/vhosts/lajme.gen.al/httpdocs/v2/site/controllers/genel.php on line 1153
Nikolas Gvosdev: Bisedime Serbi-Kosovë, para vendimit të GJND-së
English

Nikolas Gvosdev: Bisedime Serbi-Kosovë, para vendimit të GJND-së

Uashington, 30 prill, NOA - Profesori i studimeve kombëtare mbi sigurinë në SHBA, Nikolas K. Gvosdev, pohon se bisedimet mes Prishtinës e Beogradit duhet të zhvillohen para se Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë vendimin e saj për Kosovën.

Në një intervistë për BB, ai thotë se në të kundërtën qëndrimet e palëve do të ashpërsoheshin. Profesori Gvosdev thotë më tej se të dyja palët duhet të lënë mënjanë bisedimet për statusin dhe të përqendrohen në çështjet e përmirësimit të cilësisë së jetës, duke thënë se BE-ja mund të ndihmojë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje që Beogradi ta njohë Kosovën dhe që Kosova, si shtet, të njohë interesat serbe.

Profesor, një shkrim të botuar ditët e fundit e keni titulluar "Shkrirja e Kosovës". Do ta cilësoja 'sugjestiv' këtë titull, por pse "shkrirja"?

Sepse ka një ndjenjë se përparimi në Ballkanin Perëndimor varet nga zgjidhja e kësaj situate. Vëmendja në Uashington, tani për tani, është e përqendruar në çështje të tjera dhe ka mundësi reale që zhvillimet në Ballkan, jo vetëm për Kosovën por edhe Bosnjën dhe pjesët e tjera, të cilat mund të tërhiqnin vëmendjen, mund të mos jenë në qendër të vëmendjes.

Shqetësimi im është se në Uashington ekziston mendimi se përderisa nuk ka dhunë, çdo gjë është në rregull dhe nuk ka nevojë për t'u përqendruar atje. Unë do të preferoja një përpjekje të re për të ecur përpara, sesa këtë rrëshqitje drejt një situate të ngjashme me rajonin e Detit të Zi, ku ka konflikte jo të dhunshme, por nuk hidhen hapa drejt zgjidhjes dhe problemet vazhdojnë vit pas viti.

Pra ju vlerësoni se qëndrueshmëria në Ballkan varet nga zgjidhja e çështjes së Kosovës?

Mendoj se pa një gjë të tillë nuk mund të ketë realisht lëvizje të Bashkimit Evropian për ta integruar plotësisht rajonin. NATO-ja do ta ketë problem ofrimin e mundësive për të gjithë për anëtarësim meqë gjithnjë do të ketë një ndjenjë se ka çështje të pazgjidhura në tavolinë. Ashtu siç e kemi parë, BE-ja e ka provuar me shembullin e Qipros në vitin 2004, me besimin se duke e pranuar atë në BE kjo mund të inkurajojë zgjidhjen. Por kjo nuk ndodhi. Mendoj se kjo çon drejt një qëndrimi hezitues të vendeve anëtare të BE-së që të integrojnë plotësisht rajone të tjera dhe shtete të tjera ku ende ka mosmarrëveshje dhe paqartësi. Prandaj ka edhe një ndjenjë që të pritet deri sa të zgjidhen këto mosmarrëveshje për të ecur pastaj përpara. Mendoj se në këtë pikë, nëse projektet evropiane ngadalësohen në këtë moment, sa i përket Ballkanit Perëndimor, në vitet e ardhshme mund të shohim se do të jetë më e vështirë për ta rifilluar këtë proces. Prandaj e shoh këtë si një moment kritik kur nuk ka as dhunë as urgjencë dhe, në këtë kuptim, për përfundimin e procesit të zgjerimit të BE-së dhe që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë pjesë e botës euro-atlantike, kjo gjë duhet të bëhet sa më parë.

Ju po flisni për BE-në. Por, Kosova është e ndarë. Mund të flasim këtu për një qëndrim që i mban gjërat të ngrira dhe në status - quo?

Shqetësimi im lidhet me faktin se në këtë çast kemi një qëndrim të tillë, por herët a vonë njerëzit nuk do të dëshirojnë të paguajnë çmimin e mbajtjes së gjendjes së ngrirë. Në një periudhë afatgjatë kjo është më e kushtueshme, jo vetëm për koston e ndihmave, por edhe për punën joefikase të organizatave, nëse ruhet status-quo-ja dhe nuk ecet përpara. Mendoj se nëse Prishtina dhe Beogradi mund të angazhohen në një proces që do të çonte drejt një zgjidhjeje, kjo do ta lëvizte procesin përpara dhe do të ndryshonte logjikën e BE-së. Nga pikëpamja e Uashingtonit, ku nuk ka një angazhim të fortë rreth kësaj çështjeje nga administrata e re, kjo do të thotë se nëse ka një proces, kjo nuk kërkon përfshirje të Uashingtonit në kohën kur ai i është kthyer çështjeve të tjera, me të cilat do të merret.

Por a nuk është Kosova dhe Ballkani, sipas pikëpamjes së Uashingtonit, më shumë çështje evropiane?

Është e vërtetë se është çështje për Evropën. Por çështja është nëse SHBA-ja mund të luajë rol, ashtu siç e ka patur në pjesët e tjera, për ta shtyrë procesin që të fillojë dhe pastaj ta kthente në juridiksionin e gjerë evropian për t'u marrë me të. Por, gjithashtu, është një çështje nëse përmirësohen marrëdhëniet ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë, po të kemi parasysh se kjo çështje ishte një problem ose u bë një lloj lufte me top futbolli ndërmjet Uashingtonit dhe Moskës. Pra, nëse mund të dalim jashtë kësaj dhe të lëvizim drejt një procesi negociator, që mungon në Ballkan, dhe që do ta kishte integrimin evropian si qëllimin përfundimtar, kjo do të ndihmonte në ndryshimin e dinamikës.

Marrë parasysh zhvillimet në të kaluarën, roli i Uashingtonit në Ballkan dhe, posaçërisht, në Kosovë duket se është i pashmangshëm, apo jo?

Përsa i përket kësaj, problemi qëndron në atë se ekziston mendimin se vëmendja e administratës së re në Uashington është larguar nga Evropa që prej disa vjetësh. Dhe jo vetëm nga Kosova, por edhe në rastin e Evropës Qendrore vitin e kaluar dhe Polonia e Republika Çeke ankohen për mungesë të interesimit. Nuk është se SHBA-ja nuk ka interes për këtë pjesë të botës, por administrata aktuale është shumë më e përqendruar në Iran, në Irak, në Afganistan dhe në çështje të tjera dhe tani kemi një humbje të momentit. Kishte më shumë interesim nga administrata e Bushit për të shtyrë çështjet përpara, kurse administrata e Obamës ka më pak interesim sepse është e përqendruar në pjesët e tjera të botës.

Kjo nënkupton se kur humbet ky përqendrim, atëherë burokracia i ngadalëson veprimet dhe është më e lehtë të thuhet që të ruhet status quo-ja, në vend që të bëhen përpjekje për të ecur përpara me një zgjidhje.

T'i kthehem çështjes së marrëveshjeve që Prishtina dhe Beogradi mund të arrijnë. Të dyja palët janë larg njëra- tjetrës dhe është vështirë që ato të ulen në një tryezë bisedimesh. Ju si mendoni?

Mendoj se mënyra për t'i bërë bashkë është që ta kuptojnë se nëse të dyja palët japin diçka, të dyja fitojnë. Serbia nuk mund të ecë përpara në integrimin evropian përderisa Kosova është e pazgjidhur. Ajo nuk ka mundësi që të thotë se po e injorojmë këtë çështje, nuk e pranojmë kurrë dhe do të ecim përpara. Kjo është një barrierë. Sa i përket Kosovës, ajo nuk mund të ecë drejt shumë institucioneve ndërkombëtare edhe për faktin e ndarjeve brenda BE-së, pa arritur një marrëveshje me serbët.

Nëse të dyja palët do të uleshin në tavolinë me një mirëkuptim, atëherë të dyja do të fitonin, duke rihapur bisedimet dhe duke shikuar çështje të caktuara. Ndoshta kriza ekonomike që po vazhdon, është një motivim që të dyja palët të fillojnë ta konsiderojnë këtë. Një gjë tjetër është se nga ana e BE-së, ajo ka disa shembuj marrëveshjesh të sovrantitetit të përbashkët, ose të trajtimit të çështjeve të debatueshme të territoreve dhe të identiteteve që mund të përdoren për të ndihmuar të dyja palët që të arrijnë një marrëveshje e cila do të përfundonte me një Serbi që do ta njihte Kosovën dhe me një shtet të Kosovës, që do të njihte disa interesa serbe, dhe do të provonte t'i përshtaste ato. Unë e pranoj se ky është një problem madhor meqë duhet që udhëheqësit e të dyja palëve të pranojnë që procesi të ecë përpara. Por nëse kjo mund të ndodhë, atëherë mendoj se mund të ecim drejt një zgjidhjeje afatgjatë e cila do të mundësonte që kjo çështje të zgjidhej përfundimisht dhe nuk lë asnjë shije të hidhur apo problem që do të rishfaqet në të ardhmen.

Pra, kjo nënkupton biseda për çështje të interesit të përbashkët dhe jo për statusin?

Të fillohet me këtë mendoj se është një gjë e mirë. Mendoj se duhet filluar me idenë e pavarësimit nga territori. Mendoj se mund të ecet shpejt nëse të dyja palët do të pajtoheshin se duhet të ketë një shtet kosovar. Kjo pastaj do të jetë hap i madh për Serbinë, megjithëse unë nuk po them se është një proces i lehtë dhe se do të ndodhë brenda një nate. Nëse kjo marrëveshje arrihet në parim, atëherë mendoj se do të jetë më lehtë që të fillojnë bisedimet për çështje konkrete.

Kjo i bën të dyja palët që të pajtohen për të biseduar për çështjet dhe shqetësimet e përbashkëta, diçka e ngjashme me strategjinë që Gjeorgjia po provon të zbatojë për territoret e saj. Pra, është mirë të lihet mënjanë diskutimi për statusin dhe të bisedohet për përmirësimin e cilësisë së jetës dhe të kontakteve të përbashkëta. Është një proces i vështirë, por nëse ka njerëz që kanë vullnet për t'u angazhuar në të, kjo mund të prodhojë rezultat.

Kur duhet të ketë bisedime, para apo pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë?

Mendoj se duhet të fillojnë para se GJND-ja të japë një vendim. Sepse kur Gjykata të marrë një vendim në njërin drejtim ose në tjetrin, kjo do ta bëjë procesin më të vështirë dhe do të ashpërsojë qëndrimet e të dyja palëve. Tani për tani, nëse Gjykata e shtyn vendimin deri të paktën në nëntor të këtij viti, atëherë ka më shumë hapësirë për t'i filluar këto bisedime.

Kjo varet se si do të shkojnë gjërat, por kur të shpallet vendimi, njëra palë mund të thotë se nuk kemi nevojë të bisedojmë sepse tani kemi vendimin. Duke e ditur se GJND-ja mund të shtyjë vendimin ose nuk është ende e gatshme që ta marrë atë, kjo është një mundësi e mirë për t'i ulur të dyja palët në një tavolinë.

BBC

KOMENTE