Tiranë, 5 tetor, NOA – Data e sotme përkon me nisjen e aplikimeve prej qytetarëve shqiptarë për Llotarinë Amerikane 2012, me anë të së cilës ata mund të përfitojnë një vizë nga 50 mijë kuotat e mundshme që çdo vit, qeveria e Shteteve të Bashkuara ofron për emigrantë nga shtete të ndryshme të botës.
Kjo llotari është përcaktuar si e vitit 2012, sepse vizat do të lëshohen gjatë periudhës nga 1 tetori 2011 deri më 30 shtator 2012.
Siç ka bërë me dije para pak javësh ambasada amerikane në Tiranë, duke nisur nga data 5 tetor 2010, çdo shtetas shqiptar ka të drejtë të aplikojë për të fituar një vizë diversiteti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës çka i hap rrugën qëndrimit të përhershëm atje, në mënyrë legale.
Konkretisht, aplikimet për Llotarinë Amerikane DV-2012 do të nisin në orën 6 të pasdites të datës 5 tetor 2010 për t'u mbyllur në orën 6 të pasdites të datës 3 nëntor 2010.
Duhet ditur se periudha e regjistrimit për Llotarinë Amerikane DV -2012 do të ketë një kohëzgjatje prej 30 ditësh dhe në ndryshim nga vitet e mëparshme, e rëndësishme është që pas aplikimit në internet të ruhet faqja personale e konfirmimit dhe numri unik i tij.
Ky numër i mundëson aplikuesit të shikojë përmes internetit nëse është përzgjedhur apo jo si fitues nga Llotaria Amerikane DV-2012.
Ka vetëm një mënyrë për t'u regjistruar për llotarinë DV-2012: Ju duhet të plotësoni DS-5501, Formulari Elektronik i Regjistrimit për Vizën e Llotarisë, i cili mund të gjendet vetëm në faqen e Internetit http://ëëë.dvlottery.state.gov/ duke filluar nga data 5 tetor2010.
Gabimet në procesin e aplikimit si për shembull mos përfshirja e bashkëshortit/es tuaj apo të të gjithë fëmijëve tuaj ligjor ose të regjistroheni disa herë do të rezultojë në përjashtimin e aplikimit tuaj.
Në fund, të gjithë regjistruesit e llotarisë DV-2012, duhet të shikojnë statusin e tyre nëpërmjet faqes së Internetit për të parë nëse regjistrimi i tyre është përzgjedhur si fitues ose jo.
Të përzgjedhurit do të njoftohen nëse janë përzgjedhur nëpërmjet Kontrollimit të Statusit të Regjistrimit "Entry Status Check" duke filluar nga 1 Maj 2011 në adresën http://www.dvlottery.state.gov/.
Të përzgjedhurit do të drejtohen në një faqe konfirmimi ku dhe do t'ju jepen udhëzime të mëtejshme, përfshirë dhe informacione për pagesat lidhur me emigracionit në Shtetet e Bashkuara.
Ata individë që nuk janë përzgjedhur do ta kuptojnë vetëm duke parë statusin e tyre në Internet sipas Kontrollit të Statusit të Regjistrimit "Entry Status Check".
n.e/NOA