English

PINK: Kuvendi të ndalë diskriminimin ndaj transgjinorëve e homoseksualëve

Tiranë, 2 dhjetor, NOA - Ambasada PINK, që lufton për të mbrojtur të drejtat e lezbikeve, homoseksualëve, biseksualëve, transgjinorëve, i bëri thirrje sot Kuvendit të Shqipërisë t’i japë fund diskriminimit të komunitetit LGBt në Shqipëri.

Në një deklaratë për mediat kjo ambasadë akuzoi Komisionin Parlamentar të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shëndetësisë se ka konsumuar në mënyrë të hapur një rast të pastër diskriminimi ndaj komunitetit LGBT në Shqipëri.

Ambasada Pink informoi se i kishte dërguar Komisionit Parlamentar për Punën,

Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, një kërkesë zyrtare, ku kërkohej organizimi pranë këtij komisioni i një seance të hapur dëgjimore në lidhje me situatën e personave të prekur nga HIV/AIDS në Shqipëri, përfshirë edhe komunitetin LGBT në vend.

Sipas PINK, ajo bashkë me disa organizata kishin rënë dakort që të zhvillonin bashkarisht një fushatë të përbashkët për të luftuar HIV/AIDS, sidomos diskriminimin, me të cilin ndeshën çdo ditë personat që jetojnë me HIV/AIDS.

“Gjatë gjithë kësaj kohe ne kemi qenë në pritje të marrjes së përgjigjes zyrtare nga ana e Komisionit, e cila deri më sot ende nuk ka ardhur. Ndërkohë, në datë 1 Dhjetor Komisioni Parlamentar për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, ka organizuar këtë seancë dëgjimore, e cila nuk ishte as e hapur dhe as transparente. Seanca dëgjimore, ndonëse ishte kërkuar nga LGBT PRO / Ambasada Pink, u zhvillua në një mënyrë

sekrete, pa njoftuar në asnjë moment as kërkuesit e saj, tamam si mbledhjet e celulave komuniste të kohës së Enver Hoxhës”, shkruan më tej ambasada Pink.

Nisur nga ndodhia në fjalë, PINK kërkon që raste të tilla të mos

ndodhin më në Kuvendin e të gjithë shqiptarëve, pasi sipas tyre integrim europian është edhe pranim i të ndryshmëve në shoqëri.

“Në këtë aspekt ne i kërkojmë publikisht të dyja grupeve parlamentare më të mëdha në kuvend, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste, që të bëjnë një analizë serioze të kësaj ngjarjeje dhe të udhëzojnë të gjithë deputetet e tyre në komisione, që Ligji Kundër Diskriminimit nuk ishte vetëm për t’u miratuar nga deputetët, por duhet të jenë ata të parët që duhet ta zbatojnë atë”, thuhet më tej në deklaratën e PINK.

LGBT PRO dhe Ambasada Pink, i kujton të gjithë deputetëve se në muajin Shkurt të këtij viti ishin ata votuan në mënyrë unanime për miratimin e Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, i cili ishte një nga kërkesat bazë, që bëri të mundur udhëtimin e të gjithë

shqiptarëve pa viza në Europë.

Ambasada PINK sqaron se e ka dokumentuar në mënyrë profesionale dhe objektive këtë

rast diskriminimi dhe do ta bëjë atë publik jo vetëm në median shqiptare, por edhe në

atë ndërkombëtare në mënyrë që të gjithë të ndërgjegjësohen se të drejtat e njeriut janë parime dhe vlera që s’duhen shkelur nga askush.

mit/NOA
KOMENTE