Prishtinë, 14 Dhjetor 2010 – Jakup Krasniqi nuk ka shkelur Kushtetutën e Kosovës duke ushtruar detyrën e presidentit dhe duke mbajtur në të njëjtën kohë edhe postin e sekretarit të përgjithshëm të Partisë Demokratike të Kosovës.
Këtë vlerësim ka shpallur sot Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në seancën e mbajtur sot, ku shqyrtoi kërkesën e Dr. Jakup Krasniqit, Ushtrues Detyre i Presidentit të Kosovës.
Në Gjykatë, Dr. Krasniqi kishte parashtruar kërkesë e cila i përmbante dy pyetje dhe ndaj të cilave Gjykata Kushtetuese, njëzëri, përgjigjet si në vijim:
I. Nuk ka ndalesë për Ushtruesin e Detyrës të Presidentit të Kosovës në kryerjen e funksioneve në partinë politike, të cekura në Nenin 88.2 të Kushtetutës.
II. Mbajtja dhe ushtrimi i përkohshëm i funksioneve të Presidentit të Republikës së Kosovës, duke ushtruar në të njëjtën kohë, pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të PDK-së, nuk është në mospërputhje me Kushtetutën.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës njoftoi se “aktgjykimi i plotë i Gjykatës do të publikohet në kohë të duhur”.
e.r/NOA