English

Xhaçka: Rritja e bukës zeron rritjen e rrogave për të varfrit

Tiranë, 2 mars 2011, NOA – Pronarja e një furre buke në kryeqytet gjatë bisedës me deputeten socialiste Olta Xhaçka tregon se nga korriku e këtej, furrat e bukës s’janë më biznesi, por quhet dyqan për bamirësi. “Mielli është rritur jo me shifrat që flasin statistikat, por me shifra konkret. Nga 40 e 500 që ka qenë, 1 kile miell është bërë 70 dhjetë e 500 qind. Pra me 300 lekë është rritur kilja e miellit. Por është rritur gazi, janë rritur qeset është futur akciza, këtu çdo gjë shoqërohet me qese. Po kështu është rritur majaja, është rritur thekra, është rritur mielli misrit. Kanë vajtur në ato shifra sa tu them me sinqeritetin më të madh, me gjuhën popullore nuk e kemi ngjyer, thjesht po mbijetojmë”, thotë pronarja e furrës së bukës në kryeqytet.

Sipas saj, njerëzit vijnë dhe blejnë me lista.

E ndonjëherë sikundër rrëfen ajo shkon 15-20 bukë po thuaj gjithë 15-ditëshi.

“Vijnë edhe herët në mëngjes duke menduar se ka ngelur ndonjë bukë nga darka dhe atë e shes me gjysmë çmimi”, tregon pronarja.

Deputetja e Partisë Socialiste i është bashkuar këtij mendimi, duke thënë se rritja e çmimit të bukës dhe e artikujve të tjerë zeron rritjen e trumbetuar të rrogave e pensioneve për familjet e varfra.

Deputetja Xhaçka vizitoi furrën e bukës në vijim të lajmërimeve për protestën e 8 marsit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ajo u shpreh se “Buka është një artikull bazë i mbijetesës e gjithashtu një artikull i përhershëm për tryezat shqiptare. Por vetëm në 14 muajt e fundit çmimi i këtij artikulli është rritur me të paktën 25% në rang vendi, ose ndryshe me rreth 20 lekë të reja për njësi. Pra një bukë tani kushton rreth 200 lekë (të vjetra) më shumë”, tha deputetja Xhaçka.

Sipas saj është faji i Sali Berishës pse sot çdo grua e nënë detyrohet të varfërojë tryezën e familjes si pasojë e varfërimit të konsumatorëve shqiptarë e rritjes së çmimeve.

Xhaçka theksoi se këto janë arsyet pse në 8 mars protestës së grave do t’i bashkohen të gjitha gratë për të protestuar kundër një pushteti që po varfëron familjet shqiptare si në financa ashtu edhe në mundësi.

mit/NOA

KOMENTE