English

Injorimi i Shtetit

Ne, këndejpari, jemi të mbipopulluar me histori, dhe me atë versionin e saj që ka fare pak të bëj me realitetin, me gjithë atë çfarë kemi përjetuar si komb

Nga Blerim Shala

Politika dhe shoqëria kosovare kanë suficit të historisë, deficit të së tashmes dhe krizë të së ardhmes.

Nocionet e këtilla parimisht ekonomike dhe financiare, tregojnë që aktualiteti kosovar në radhë të parë veçohet a karakterizohet me një rënie të vazhdueshme të vlerës politike të Republikës së Kosovës, e cila është një tendencë stabile me synim të destabilizimit sinjifikativ të shtetit të Kosovës.

Nuk ka dyshim që ne, këndejpari, jemi të mbipopulluar me histori, dhe me atë versionin e saj që ka fare pak të bëj me realitetin, me gjithë atë çfarë kemi përjetuar si komb, vetëm gjatë Shekullit XX, për shembull. Interpretimi i historisë sonë, më shumë i afrohet miteve dhe legjendave se sa një shpjegimi të qëndrueshëm.

Kjo qasje vërehet, ta zëmë, edhe gjatë kësaj jave të muajit qershor, kur anekënd Kosovës nisin shënimet e përvjetorëve të çlirimit të qyteteve të ndryshme, dhe të mbarë Kosovës.

Ta zëmë, për çdo vjet ne mashtrojmë veten duke festuar 11 qershorin si Ditën e çlirimit të Prishtinës. Me 11 qershor të vitit 1999, në Prishtinë nuk ka pasur ushtarë të NATO-s, por ushtarë rus dhe forca të shumta serbe. Për më shumë, trupat serbe do të mbesin në Prishtinë, në pajtim me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake të Kumanovës, deri me 20 qershor të vitit 1999. Vetëm historisë së përzier me mite dhe legjenda i shkon shënimi i çlirimit të Prishtinës me 11 qershor. Nuk ka mundur të ketë çlirim të Prishtinës, derisa këtupari janë sjellë uniformat e llojllojshme serbe. Dita e mirëfilltë e çlirimit të Prishtinës, dhe e Kosovës është pikërisht 20 qershori, kur forcat serbe largohen nga Kosova, e jo dita kur Pakti NATO ka hyrë në vend. Ikja e trupave serbe shënon çlirimin e Kosovës.

Po çdo përpjekje për ta trajtuar këtë temë me gjakftohtësi dhe me një qasje realiste, has në rezistencë pseudo-patriotike dhe patetiko-histerike, sepse historia nuk është ajo çfarë ka ndodhë në të vërtetë, por çfarë ne mendojmë që ka ndodhë.

Obsesioni me një histori të këtillë sa vjen e shtrëngohet në Kosovë, në vend se të ndodhë e kundërta, tok me zhvillimin e demokracisë në Kosovë.

Me përjashtime shumë të rralla, si politikë dhe si shoqëri kosovare, sa herë përballemi me probleme të mëdha politike, ekonomike dhe sociale, të cilat e dëshmojnë atë deficitin e të tanishmes, ne ia mësyjmë historisë sonë, të projektuarës prej nesh, në kërkim të shpjegimeve se çfarë është duke ngjarë tani, dhe për më shumë, në kërkim edhe të modeleve të mëdha të zgjidhjes së tyre. Konteksti real historik ekziston, gjithsesi, por ne nuk merremi me te, por me ato kallëzimet tona që janë larg historisë.

Duhet thënë fare hapur: Kur ne kemi telashe me të tashmen, apo, me hallet që kemi si Republikë e Kosovës, e të cilat janë të zgjidhshme dhe të tejkalueshme, dhe i kthehemi historisë në kërkim të adresimit të tyre, dhe prej andej nxjerrim solucione tashmë të tejkaluara prej historisë dhe politikës së mirëfilltë, ne nuk bëjmë gjë tjetër, pos shprehim, dashtë e pa dashtë, me apo pa qëllim, bindjen që nuk jemi në gjendje të mbajmë shtet, prandaj, ia mësyjmë që vullnetarisht të heqim dorë prej tij.

Shteti është fuqi dhe organizim, është shtëpi e një populli, është mekanizëm që garanton stabilitet dhe siguri, një mirëqenie të qytetarit. Kur nuk ndodhë kështu, e tek ne në Kosovë, akoma jemi larg përmbushjes së këtyre qëllimeve (për shkaqe pak a shumë të njohura për të gjithë), kjo nuk do të thotë që faji është tek shteti si i tillë (pos në rastet e njohura, kur një shtet federal ka pasë probleme të mëdha në marrëdhëniet ndër-etnike), por tek ata që qeverisin me te.

Me qasjen pseudo-historike, e cila sa vjen e po forcohet ndër ne, ne vetë thuajse heqim dorë prej atij qëndrimi që është theksuar aq shpesh prej autoriteteve më të larta të Perëndimit, gjithnjë në përkrahje të vendit tonë karshi mohimit të shtetit të Kosovës nga Serbia, që pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme. Kohëve të fundit, në këtë kontekst, politikanët dhe diplomatët perëndimorë po i dhënë interpretim shtesë këtij qëndrimi, në kundërshtim të ideve mbizotëruese në Serbi, për ndarjen territoriale të Kosovës si zgjidhje të kontestit historik shqiptaro-serb, kur po nënvizojnë që ka skaduar koha e vizatimit a ndryshimit të kufijve në Ballkan, dhe që Epoka e krijimit të shteteve dhe të ndërrimit të kufijve ka perënduar.

Fuqizimi i shtetit të Kosovës, në të gjitha aspektet e mundshme, është interes kombëtar shqiptar. Është interes i shtetit të Kosovës, gjithsesi, edhe i gjithë kombit shqiptar, që gjendja në Kosovë të ndryshojë rrënjësisht, për të mirë, që këndej të sundon ligji, që të luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, që të bëhemi shtet perëndimorë, në të gjitha dimensionet e mundshme, që në një të ardhme të afërt, Kosova të jetë, tok me Shqipërinë, anëtare e Paktit NATO dhe e Bashkimit Evropian.

Dhe nga ky pikëshikim, nëse jemi objektiv, ne kemi krizë të së ardhmes, e cila po shprehet në të gjitha mënyrat e mundshme. Ne nuk e dimë se si do t’i ndërtojmë raportet e mirëfillta me BE-në, ne nuk e kemi aspak të qartë se si do ta zhvillojmë ekonominë tonë ashtuqë të zvogëlojmë papunësinë e madhe dhe varfërinë e të gjitha niveleve, ne ende nuk e dimë se si do ta stabilizojë Kosova pozicionin e saj ndërkombëtarë dhe si do ta integrojmë Veriun.

Këto, dhe shumë pyetje të tjera që ndërlidhen me krizën e të ardhmes, kërkojnë përgjigje të shpejta prej nesh në Kosovë. Ato assesi nuk janë fshehur diku në histori, por ato duhet të jenë thelbi i politikës së tashme kosovare.

* Autori është Nënkryetar i Parë i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës. Publikuar nga Express – Prishtinë

KOMENTE