Nga Nexhmedin Spahiu
A është Hashim Thaçi politikisht më i fortë se para 24 Korrikut 2011? Kjo është pyetja që opinionistë vendorë e ndërkombëtarë e bëjnë shpesh këtyre ditëve. Përgjigja është PO, por Kosova është politikisht më e dobët se para 24 Korrikut 2011
A e ka ndërmarrë Thaçi aksionin e ROSU në Veri të Kosovës me apo pa dijen e amerikanëve?. Hashimi le të kuptohet se po, Kantrimeni e mohoi këtë kategorikisht duke thënë se Qeveria e Kosovës e ka bërë këtë pa dijeninë e qeverisë amerikane.
Për të treguar se cila është e vërteta po tregoj shembullin e një ish punëtorit tim në RTV Mitrovica. Më 1999, një teknik kujdestar në Radio Mitrovica kishte lëshuar në transmetim një diçka që nuk ishte me program dhe unë e thirra në telefon që ta hiqte menjëherë nga transmetimi dhe pas këtij urdhri le që u ndal programi në fjalë por edhe krejt sinjali i Radios. E thirra sërish dhe e pyeta çfarë ndodhi e ai mu përgjigj se e kishte hequr transmetuesin nga rryma elektrike. Ti vete më the – u arsyetua, unë ndryshe nuk di veç se me e ndalë krejt. Ndash me e leshu ndonjë tjetër program eja e lëshoje vet.
Tani puna e Hashim Thaçit është si puna e këtij ish-punëtorit tim që nuk dinte të lëshonte ndonjë tjetër program në transmetim, pos ta bënte punën bërllok - me e ndalë transmetimin krejt.
Qeveria e Kosoves e përfundoi aksionin në Veri me dështim dhe me turp sa që amerikanët e panë të arsyeshme të distancohen nga ky aksion.
Sigurisht që amerikanët duhet t’i kenë thënë Hashimit që të lëvizë në drejtim të marrjes së Veriut nën kontroll. Dhe Hashimi e ka bërë t’vetmën gjë që e ka ditur. I ka nisë njësitë speciale të policisë si Azem Bejta para 90 vitesh duke harruar se është Shekulli 21, dhe për dallim prej Azem Bejtës që aksioneve u printe vet personalisht dhe i kryente me sukses, Qeveria e Kosoves përfundoi me dështim dhe me turp saqë amerikanët e panë të arsyeshme të distancohen nga ky aksion.
Këtë nuk do ta bënte kurrë një kryeministër i përgjegjshëm. Nëse do t’ishte i përgjegjshëm, ai për 3 vjet e gjysmë si kryeministër, çdo ditë e çdo natë do të përpunonte në kokën e vet planin se si do ta merrte Veriun nën kontroll efektivisht e pa viktima ose me minimumin e viktimave. Por këtë ia tregoi botes se nuk është i zoti ta bëjë.
Bota e kuptoi këtë, prandaj pozicioni ndërkombëtar i Kosovës para dhe pas 24 Korrikut ndryshoi rrënjësisht në kuptimin negativ për Kosovën.
Por bota kuptoi edhe aftësinë e Hashimit për ta manipuluar popullin e vet. Bota e kuptoi se Hashimi ka aftësinë që edhe mu... t’ia shes për hallve popullit të vet dhe opozita të mos reagojë ose të ketë një reagim tejet të vakët. Kjo e bën Hashimin lojtarin kyç politik të Kosovës dhe prandaj ai është shumë më i fortë se para 24 Korrikut 2011.